Famous albanian singers and celebrities.
IPKO is an information technology and communications affiliate. Established in 1999, IPKO has grown from being the first Kosovo-wide Internet provider, to becoming a modern enterprise offering full range of integrated services as well as domain name registrayion, web hosting services, shared hosting, virtual servers, dedicated servers, content, in mobile communications, fixed telephony as well as media. Click here for more information.

Wednesday, 2 January 2008

Teuta Krasniqi

Në kërkim të një roli të madh. Por plot me oferta, si aktore dhe prezantuese. Kush është Teuta Krasniqi, vajza që duket se e ka gjithçka të lehtë. Sepse... Thjesht të jesh e bukur nuk mjafton për të prekur suksesin. E megjithatë, të jesh një vajzë e bukur ka sigurisht pluset e veta. Nëse kësaj i shton një vullnet të çeliktë, atëherë po, që ke në dorë çelësat e duhur për të arritur suksesin e dëshiruar.

Këtë leksion e ka kuptuar me kohë bukuroshja prishtinase Teuta Krasniqi, e cila ndonëse është vetëm 24 vjeç, radhitet ndër aktoret dhe prezantueset më të kërkuara në Kosovë. Ajo ka lindur në Prishtinë në një familje të emancipuar, ku është ushqyer me ndjenjën dhe dashurinë për artin. Prandaj edhe vetë nuk kishte sesi të mos lidhej pikërisht me artin. Ka mbaruar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, degën e artit dramatik, ndërkohë që tani po vazhdon studimet e pasdiplomës. Teuta ka shumë ëndrra dhe dëshira: i pëlqen të vizitojë vende të ndryshme dhe të njihet me kultura të ndryshme. Ndër gjërat që i pëlqejnë më shumë janë vallëzimi, stina e verës dhe njerëzit me energji pozitive. Nuk i pëlqen ndërkaq imponimi në çfarëdo aspekti e as filmat horror. Ama i pëlqejnë gjithë filmat e tjerë. Jo më kot ka zgjedhur aktrimin.
Dukeni mjaft e pasionuar pas aktrimit. Cila mund të quhej shfaqja juaj e parë?

Me aktrim kam filluar të merrem që në bankat e shkollës, me shfaqje të ndryshme shkollore. Si studente e aktrimit, së pari jam paraqitur në shfaqjen “Të mallkuarit”, ku edhe fitova çmimin si aktorja më e mirë në festivalin mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”. Natyrisht si studente e vitit të parë, ky sukses më motivoi që të vazhdoj të punoj edhe më me përkushtim. Ndërsa prezantimin e parë në televizion e kam bërë në emisionin javor “Loto”. Isha 17 vjeç dhe isha e terrorizuar nga qëndrimi përpara kamerave, nuk kisha pikën e përvojës. Por kanë qenë pikërisht emisionet e drejtpërdrejta ato që më mësuan të jem më e lirshme, çfarë është thelbësore në profesionin tim si aktore.

Kohët të fundit po shfaqeni në rolin e kamerieres së bukur, por paksa budallaqe, në serialin humoristik televiziv “Kafeneja jonë”. A të pëlqen vetja në këtë rol?

Rolin e Sarandës e dua shumë dhe kënaqem shumë me të. E pranova menjëherë këtë rol, që për mua është një sprovë, sepse Saranda ka disa veti të veçanta, ekstreme... Më e rëndësishmja është se Saranda është krejt diçka tjetër nga Teuta, dhe kisha nevojë që publiku të më shihte ndryshe në ekran. A më pëlqen vetja? Mmmm... E kam të mprehtë sensin e vetëkritikës dhe rrallë më pëlqen diçka në tërësi, sepse besoj që gjithmonë ka edhe më mirë. Por gjithsesi jam shumë e kënaqur dhe fakti që seriali është mjaft i ndjekur publiku është një shenjë e mirë.

A nuk përbën kjo një rrezik për karrierën tuaj të mëparshme? Domethënë të identifikohesh me këtë personazh dhe të mos shkëputesh më dot? Kjo ka ndodhur me shumë aktorë.

Eshtë e vërtetë që pas njëfarë kohe publiku të identifikon me rolin me të cilin është mësuar të të shohë. Edhe mua më ndodh kjo. Emri Saranda në rrugë më është bërë si emri im i vërtetë dhe me të reagoj shumë natyrshëm.

Përveç punës me serialin, a ke angazhime të tjera?

Telefilmi më merr shumë kohë, por kjo nuk më ka penguar që njëkohësisht në angazhohem në Teatrin Kombëtar me shfaqjen “Babai”. Gjithashtu jam ligjëruese e lëndës së diksionit në Akademinë e Arteve të Bukura, dhe vazhdoj magjistraturën.

E gjendur mes aktrimit dhe prezantimit, madje edhe këngës, ku ndjehesh më mirë?

Aktrimin e kam profesion primar, që e dua me zemër, ndërsa prezantimin nuk do ta quaja si hobi, por si profesion dytësor. Mendoj që këto profesione janë shumë të përafërta dhe deri më tani gjithmonë i kanë ndihmuar njëri-tjetrit. Njëkohësisht merrem edhe me muzikë. Kam realizuar disa këngë, por nuk kam ambicie për t’u bërë edhe këngëtare. Do të këndoj vetëm atëherë kur e kërkon ndonjë rol imi ose prezantimi, pra kënga do të jetë si një kompletim i punës që bëj.

Të pëlqen më shumë teatri apo televizioni?

Teatri është i gjallë, i drejtpërdrejtë dhe të bën të ndjehesh vërtetë i gjallë dhe të marrësh ndjesitë maksimale. E dua teatrin shumë. Por edhe televizionin e dua dhe jam mësuar me të. Pastaj nuk duhet harruar që televizioni të jep famën.

Cili mund të quhej roli i karrierës suaj?

Deri më tani si roli kompleks dhe me kërkesa të mëdha, ai që e kam bërë me më shumë dashuri është roli i Laurës në shfaqjen “Babai”. Ndërsa, nëse flas për rolin që do të kisha dëshirë ta luaja ndonjëherë dhe që do ta konsideroja vërtetë si rolin e karrierës, do të ishte ai i mbretëreshës ilire Teuta. Një film ku unë do të kisha këtë rol, kjo është ëndrra ime, edhe pse e di që është shumë vështirë të bëhet realitet. Sepse ndoshta që të xhirohej një film i tillë, do të duhej buxhet shumë i madh.

Ke realizuar ndonjë rol erotik deri tani?

Jo, asnjëherë.

Sikur të kishit ofertë për një rol të tillë, a do ta pranonit?

Jo, asnjëherë.

Po në skenën e Tiranës, a ke mundur të shfaqesh?

Kam pasur një ofertë nga Teatri Kombëtar i Tiranës, por pikërisht në atë koha isha e angazhuar në projektin e shfaqjes “Babai” në Prishtinë dhe nuk munda assesi t’i koordinoj punët. Më erdhi keq, por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do të kem një tjetër mundësi.

Të rritesh në një familje ku të gjithë janë të njohur, si kjo e jotja, sa të ndihmon në karrierë?

Të ndihmon jashtëzakonisht shumë. Jam rritur në një familje ku flitej vetëm për art dhe për politikë. Për më tepër që e përkrahim në mënyrë të ndërsjellë njëri-tjetrin dhe konsultohemi për çdo gjë.

Një karrierë artisteje, sa kohë të lë për jetën private?

Është e vërtetë që jam shumë e angazhuar dhe kam fare pak kohë për pushim e argëtim, por mundohem që t’i koordinoj sa më mirë dhe që asnjëherë të mos i pengojnë njëra tjetrës jeta private dhe jeta profesionale. Në radhë të parë jemi njerëz e pastaj profesionistë në çfarëdo fushe, kështu që e kam shumë të rëndësishme jetën private.

Ndonjë i dashur? Apo më shumë?

Mmmm....nuk preferoj të flas shumë për jetën time private, sepse nuk do të ishte më private nëse do ta publikoja. Gjithë gjithë që mund të them është se jam e dashuruar. Kam një të dashur, që më bën të ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe e plotësuar.

Cila mund të quhej rivalja juaj në skenë?

Nuk kam rivale. Me të vërtetë që nuk do të mund ta konsideroja asnjë kolege si rivale. Jo, sepse mendoj që jam më e mira, por thjesht sepse konkurrencën e shoh si diçka pozitive dhe si cytje për punë.

Nëse do të ishit ministre e Kulturës, ku do të përqendroheshit në punën tuaj?

Nuk do të bëhesha ministre fare, por do t’i këshilloja ministrat e Kulturës që të fokusohen dhe të kontribuojnë në ngjarje të vërteta artistike, dhe në atë që të kemi mundësi që të tregojmë punën tonë edhe jashtë kufijve.

Çfarë shpresoni të arrini në të ardhmen?

Kam shumë plane, por kam dëshirë që të kërcej e pastaj të them “hop”, kështu që nuk po flas shumë, vetëm them që do të punoj me përkushtim në realizimin e tyre.

Nuk ke ndonjë synim për karrierë jashtë kufijve?

Nuk kam ëndrra hollivudiane, sepse e kam përballë realitetin dhe në të jetoj. Megjithatë, nuk i dihet jetës. Ndoshta mund të ndodhë që ndonjë ditë të më bëjnë ndonjë ofertë për rol në ndonjë film të huaj. Atëherë, pse jo? Pse të mos shpresoj!?

Drita LOSHI

No comments: