Famous albanian singers and celebrities.
IPKO is an information technology and communications affiliate. Established in 1999, IPKO has grown from being the first Kosovo-wide Internet provider, to becoming a modern enterprise offering full range of integrated services as well as domain name registrayion, web hosting services, shared hosting, virtual servers, dedicated servers, content, in mobile communications, fixed telephony as well as media. Click here for more information.

Wednesday, 2 January 2008

Elsa Lila







Sekretet e vogla të Elsa Lilës

Çdo foto mund të grishë përfytyrimet e një 26-vjeçareje, aq më tepër kur ajo është një vajzë e mbushur me dashuri për jetën. Dhe kur këto rrëfime do t‘i bësh përballë një gazetari që adhuron deri në detaje pasionin për jetën, ato marrin një tjetër formë dhe ti ndihesh teksa zbërthen ngadalë çdo fije që endet në trurin tënd të bukur.
Ndoshta kjo gjë i ndodhi Elsës dje në mbrëmje përballë gazetarit dhe analistit të njohur Mustafa Nano, ku vetëm disa javë pas suksesit që pati si prezantuese e edicionit të 46-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ajo çliroi (ndryshe nga lotët që zgjodhi kur u mbyll sipari i festivalit, për të çliruar gjithë atë barrë të madhe që kishte marrë mbi supe) përfytyrimet. Por si ishin përfytyrimet e Elsa Lilës? Të gjithë ata që e ndoqën mbrëmë nëpërmjet ekranit të "Top Channel" e kuptuan se ato ishin jo vetëm të bukura, por edhe të vërteta. Kuptuan se vajza që u solli emocione të papërsëritshme në vitin 1996, me këngën "Pyes lotin", jo vetëm që kishte mbetur ende e tillë, e brishtë, por dhe ishte rritur duke mos humbur atë çfarë është më e rëndësishme te një njeri, thelbin e së vërtetës brenda saj.

Le të zbulojmë sekretet e vogla të Elsa Lilës, e cila është kthyer tashmë në një nga personazhet më interesantë. Pas imazhit që solli si një prezantuese përkrah kantautorit Pirro Çako, ia beson këto sekrete "Deja Vu"-së.

Dhe biseda nis me një foto të artistes së madhe Vaçe Zela, së cilës Elsa i dërgoi në natën e dytë të festivalit një përqafim nga skena e Pallatit të Kongreseve. "Unë kam thënë dhe do të them se nëse zonja Vaçe Zela do të kishte lindur diku tjetër dhe jo në Shqipëri, ajo do të ishte një emër i madh për të gjithë botën. Për këtë jam shumë e sigurt", rrëfen Elsa. Ajo u bashkohet zërave unanim që ekzistojnë në hapësirat shqiptare për këtë personalitet, duke besuar në forcën e madhështisë së saj. "Kur talenti është talent, kur zëri godet, kur emocionon, kur entuziazmon, kur të bën të reflektosh, nuk ka si të mos jenë të gjithë në një mendje", thotë ajo.

Por Elsa nuk ka si të fshehë dhe simpatinë e brendshme që ka për këtë këngëtare, me të cilën lidhet historia e këngës shqiptare.

Asaj i pëlqejnë historitë që ka dëgjuar për të. Për shembull kujton se ka dëgjuar që Vaçja pinte duhan në një kohë kur shumë pak femra guxonin ta bënin një gjë të tillë. "Ishte një grua që i kishte të gjitha, një grua e fortë, avangarde", thotë Lila. Asaj i vjen keq që s‘ka mundur ta takojë, por ruan me ëndje takimin që ka pasur me të gati dhjetë vjet më parë. Një takim që nuk mundi ta shijonte ashtu siç mund ta shijonte tani, kur e di se çdo të thotë të duash muzikën, dhe e njeh më mirë kontributin e saj në këtë zhanër.

Po lotët? Çmendon Lila për këtë pjesë kaq intime të qenies sonë? Një sy blu poshtë qerpikëve të së cilit ka zbritur një lot, është një tjetër foto e zgjedhur me kujdes nga Mustafa Nano. Sigurisht që kjo figurë i sjell në mëndje veten kur ishte vetëm 16 vjeçe, teksa interpretoi këngën që e bëri të sigurt të ardhmen e saj drejt skenës, "Pyes lotin". Lotët për të, ashtu si për çdonjërin prej nesh, janë një moment çlirimi, një moment të cilin ajo e ka intim si çdo njëri prej nesh, por nuk heziton të ndajë me publikun një detaj. Hera e fundit që ka qarë është kur u mbyll sipari i Festivalit të Këngës, kjo pasi në atë moment kishte nevojë të çlironte gjithë energjinë dhe detyrimin që mbante mbi vete për një aktivitet të tillë të rëndësishëm, që ajo e suportoi aq mirë. "Të shkretët ata që nuk qajnë", thotë Lila.

Një foto e atyre që quhen "muzikantët e rrugës", një formë e njohur kjo jo vetëm në Ballkan, por edhe në Perëndim, do të nxjerrë në pah mendimin e Elsës mbi këtë fenomen tashmë të zakonshëm. Jo të gjithë ata që kanë talent mund të cekin skenat e mëdha të botës. Ka dhe njerëz si ata që Nano kishte zgjedhur në foto, që ëndrrat për skenën i realizojnë duke u kënduar njerëzve në rrugë qoftë edhe për pak cent. Sigurisht që bota është e padrejtë dhe jo vetëm ndonjëherë dhe Elsa e pranon këtë. Por për ta përkufizuar më mirë mendimin e saj mbi këtë fenomen, ajo tregon një ngjarje që e ka lexuar diku në shtyp.

"Dua të tregoj një episod që e kam lexuar diku në një gazetë për sa i përket talentit. Për mua talenti është talent dhe mbetet i tillë edhe nëse të njohin 10 veta apo 2 miliardë e gjysmë veta. Në një olimpiadë ku shënohet rekordi i 100-metërshit, fiton një atlet. Por diku në atë periudhë, në një burg në SHBA një i burgosur e thyen rekordin e atij që ishte rekord. E morën vesh shumë pak veta, por ai ishte kampioni i vërtetë", tregon Elsa.

Në foto ishujt i grish një tjetër përfytyrim i vajzës që thotë se është e dashuruar me udhëtimet dhe që i bën shpesh. "Më pëlqejnë fotografitë e ishujve të virgjër, pasi mua më pëlqen të vizitoj vende ende të pazbuluara nga komercializmi i turizmit. Vende ku nuk ka turma turistësh dhe nuk është bërë ende e modës të shkohet aty", thotë ajo. Dhe Elsës i pëlqen të shkojë diku dhe vetëm. Pse jo. Nuk ka asgjë të trishtueshme të zbulosh misteret e një vendi që e prek për herë të parë.

Botën e civilizuar e ka çdo ditë para syve në Romën gjigande, ku ndan jetën, ku pothuajse çdo javë ndodhin aktivitete të rëndësishme kulturore. Por udhëtimet janë diçka ku ti kërkon të hulumtosh vende të cilat nuk i prek në jetën tënde të përditshme, ndoshta kjo është ajo që e shtyn Elsën t‘i dojë pafundësisht ato.

Interesant është dhe komenti që këngëtarja i bën një fotoje ku dy duar kanë prekur njëra-tjetrën dhe në gishtat e tyre ndodhet një unazë. Është Ai dhe Ajo. Martesa? Mund ta shpjegonte Nano më saktë këtë foto? Po ç‘mendon Elsa për këtë pjesë që për shumë femra quhet më e rëndësishmja e jetës? "Është një traditë, është fillimi i një bërthame të re familjare. Por unë personalisht, ndoshta nuk është mirë të thuhet në televizion, por unë do ta them. Nuk do të doja të martohesha. Se çfarë do të ndodhë në të ardhme, nuk e di", thotë ajo. Po Nano kërkon të dijë më shumë mbi këtë dëshirë të këngëtares. "Thjesht jam shumë e lirë si person, por jo e lirë në kuptimin negativ të fjalës. Dua të jem e lirë në mendim, të kem mundësinë të rri vetëm, ose ndoshta nuk kam takuar ende njeriun me të cilin mund të martohesha", thotë ajo.

Në një intervistë ku përfytyrimet zgjohen, një femër 26-vjeçare mund të flasë për gjithçka. Pse jo dhe për minifundet? E rritur në një ambient familjar, ku dominonin meshkujt, 5 xhaxhallarë dhe 2 daja, Elsa tregon se kujton veten tepër çapkëne, të veshur me pantallona të shkurtra, kanotiere. Dhe për herë të parë ajo ka veshur fund kur ishte 20 vjeçe, ndërsa minifundet i provon shpesh në ditët e nxehta të gushtit në plazh. "Në skenë nuk kam përdorur asnjëherë minifunde. Nuk i gjykoj ata që i përdorin. Kush e ka një fizik të bukur, pse jo dhe një zhanër muzikal të tillë. Unë kam pasur një zhanër muzikal të atillë që t‘i shkonte për shtat një minifundi. Nuk e di në të ardhme", thotë ajo.

Italia nuk kishte si të mos zinte vend në këtë intervistë fotografike. Vendi ku Elsa ndan jetën prej 11 vitesh nuk ka si të mos e inspirojë për të rrëfyer. Por në hartën që Nano i tregon në ekran, atë e ngacmon më shumë një tjetër vend dhe ai është Shqipëria. Elsës i pëlqen të jetë patriote, por në këtë rast shprehja më e mirë që mund të përdorej është një njeri që e do dhe e vlerëson vendin e vet.

Ajo tregon se mbërriti në Itali kur ishte 15 vjeçe dhe i është dashur të kalojë në vendin fqinj periudhën nga adoleshenca deri tashmë, kur ndihet plotësisht e rritur. Por a ka pasur paragjykime ndaj të qenit shqiptare? Pyet Nano.

"Natyrisht, kam qenë edhe unë viktimë e paragjykimeve, jo vetëm si këngëtare, pasi 5 vitet e mia të para në Itali nuk më njihte njeri si këngëtare, sepse ende nuk kisha tentuar të futesha në botën e muzikës. Atëherë isha thjesht një studente e thjeshtë në një shkollë të mesme", thotë ajo. Por për Lilën paragjykimet vijnë gjithnjë nga ajo shtresë e shoqërisë, e cila me një gjuhë të thjeshtë mund të quhej e pakulturuar.

Dhe... një foto nga festivali nuk kishte si të mos ishte pjesë e kësaj bisede. Një foto ku Elsa këndonte "Marzhelën", një varg të së cilës e improvizoi dhe në studio me Nanon. Ishte tepër emocionale për të. Ajo nisi të tregojë se kishte mundur ta suportonte skenën, duke sjellë në mendje fëmijërinë e saj. Atëherë kur hipte mbi makinën qepëse dhe improvizonte spektakle.

"Këtu m‘u duk vetja si atëherë dhe thashë do të bëj spektakël si atëherë, pa menduar se po gaboj",tregon ajo, dhe vërtet ia doli.

Por të gjithë suksesin e festivalit ajo ia dedikon atij stafi të përkushtuar organizatorësh, regjisorit të palodhur Pali Kuke, skenografit Bashkim Zahaj etj.

Ajo kujton se para se të futeshin në skenë përqafonte Pirron dhe i thoshte "jemi dy kamikazët e vegjël, hajde hidhemi tani në skenë". Lidhur me improvizimet që bëri në netët e festivalit ajo tregon se kanë qenë spontane. Elsa tregon se kur nisi të pyeste liderin e grupit "Elita 5", ishte e sigurt se ai quhej Virus. Pas batutës së saj "se ajo ishte Pirro dhe Pirro ishte Elsa", ajo tregon se kur doli nga skena, pa që të gjithë punonjësit e skenës ishin në tokë nga të qeshurat.

Por pas këtij suksesi, a do të rikthehej Lila sërish si prezantuese e këtij festivali? "Jam shumë e hapur se më pëlqeu shumë si eksperiencë. Natyrisht, kjo nuk do të doja të tingëllonte që është menduar se unë mund të jem edhe vitin e ardhshëm", thotë ajo.
Marre nga : Gazeta Shqip

No comments: